Futbolli i Kosovës ka marrë një tjetër lajm të dhimbshëm. Pas ndarjes nga jeta të Erdogan Celinës, ka vdekur edhe një tjetër figurë emblematike e futbollit kosovar, Zenun Brovina.
Ish-futbollisti i Vëllaznimit dhe Prishtinës, që ishte futbollisti i parë shqiptar që luajti në Partizan të Beogradit, është ndarë nga jeta të dielën në mbrëmje, në moshën 84-vjeçare.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Brovina, duke e cilësuar Zenun Brovinën si një prej figurave më të rëndësishme dhe më të respektuara të futbollit kosovar.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Zenun Brovinës, njërit prej emrave të mëdhenj dhe figurave emblematike të futbollit të Kosovës”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.
Brovina e nisi karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës, ndërsa më pas u aktivizua edhe te Partizani i Beogradit dhe Prishtina. Ai ishte gjithashtu kapiten i Reprezentacionit të Kosovës dhe një prej futbollistëve më të spikatur të gjeneratës së tij.
Ademi ka vlerësuar jo vetëm kontributin e tij në fushën e futbollit, por edhe karakterin, modestinë dhe përkushtimin që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.
“Me Zenun Brovinën, futbolli i Kosovës humbi një legjendë. Por trashëgimia e tij, kujtimet nga ndeshjet, fanellat që veshi, kontributi dhe shembulli që la pas do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë sonë sportive”, ka shkruar kreu i FFK-së.
Ademi, në emër të tij dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, u ka shprehur ngushëllime familjes Brovina, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit të futbollit.
“Sot futbolli ynë po i përcjell për në përjetësi dy nga futbollistët e tij më të çmuar, Zenun Brovinën dhe Erdogan Celinën. Lamtumirë, Zenun Brovina! I përjetshëm qoftë kujtimi për ju!”, ka përfunduar Ademi.

