Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) njofton se indeksi i numrit të të punësuarve në sektorët e shërbimeve, në qershor të vitit 2026, shënoi rritje prej 3,27 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, përkatësisht qershorin e vitit 2025.
“Sipas aktivitetit ekonomik kishte rritje te: Bar-Restoranet me 6,13 %; Veprimtaritë botuese, prodhim audio-vizuel, transmetim, telekomunikim, programim kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 3,61 %; Veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike me 3,42 %; Transporti dhe Magazinimi me 2,48 %; Hotelet me 0,67 %; dhe te Veprimtaritë administrative dhe mbështetëse me 0,49 %”, njofton ASK.
Sipas ASK-së, në muajin qershor të vitit 2026, Indeksi i fondit të pagave dhe mëditjeve në sektorët e shërbimeve kishte rritje për 14,83 %, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Qershor 2025).
“Sipas aktivitetit ekonomik kishte rritje te: Bar-Restoranet me 21,33 %; Veprimtaritë botuese, prodhim audio-vizuel, transmetim, telekomunikim, programim kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 14,31 %; Veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike me 14,30 %; Veprimtaritë administrative dhe mbështetëse me 13,21 %; Hotelet me 12,87 %; dhe te Transporti dhe Magazinimi me 11,75 %”, njofton ASK.

