Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do të eksportojë deri në 73.2 milionë euro thëngjill në Maqedoninë e Veriut gjatë një periudhe trevjeçare.
Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka bërë të ditur se për herë të parë kontrata është lidhur drejtpërdrejt ndërmjet dy kompanive publike, KEK-ut dhe Elektranave të Maqedonisë së Veriut (ESM).
Sipas saj, çmimi i përcaktuar në kontratë është shumëfishë më i favorshëm për KEK-un krahasuar me kontratat e mëparshme, derisa ka përmendur edhe rastet e mëparshme të eksportit të thëngjillit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut.
“Çmimi prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, është shumëfish më i favorshëm për KEK në krahasim me kontratat e kaluara që bëheshin përmes ndërmjetësuesve. Për shembull, herën e fundit që Kosova ka eksportuar në Maqedoni të Veriut, KEK e ka shitur thëngjillin në një tender të jashtëligjshëm me çmim prej vetëm 8 euro, duke përfshirë tantiemën prej 3 euro dhe TVSh-në prej 18%”, ka shkruar Rizvanolli.
Ajo tutje ka thënë se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë nuk ndikohet në asnjë mënyrë nga kjo kontratë, duke qenë se ESM është përgjegjëse për eskavimin dhe transportin e thëngjillit që do ta blejë.

