Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë ditët së sotme vendi ynë do të karakterizohet me mot kryesisht me diell dhe pjesërisht i vranët.
Sipas parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 24 deri në 30 gradë. Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 4 metra për sekondë.
Kushtet biometeorologjike pritet të jenë përgjithësisht të mira dhe të favorshme, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes. Megjithatë, temperaturat e larta gjatë mesditës, sidomos të hënën, të enjten dhe të premten, mund të shkaktojnë ngarkesë të shtuar termike te personat e ndjeshëm.
Mundësi për reshje lokale dhe stuhi
Sipas IHMK-së, kushtet agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin dhe pjekjen e kulturave bujqësore. Temperaturat e larta do të favorizojnë proceset e pjekjes, ndërsa reshjet lokale të mundshme të martën mund të kontribuojnë në lagështinë e tokës.
Në zonat ku reshjet mund të shoqërohen me stuhi, erëra të forta dhe breshër, mund të ketë dëmtime lokale të kulturave bujqësore.
Ndërkohë, indeksi UV pritet të jetë i lartë deri shumë i lartë, veçanërisht gjatë intervalit kohor 10:00–16:00, në varësi të vranësirave.
IHMK rekomandon shmangien e qëndrimit të gjatë në diell gjatë orëve të mesditës, përdorimin e kapelave, syzeve të diellit dhe kremit mbrojtës ndaj rrezatimit UV, si dhe konsumimin e mjaftueshëm të lëngjeve gjatë ditëve me temperatura të larta.
Fermerët këshillohen të jenë të kujdesshëm gjatë mundësisë për stuhi të martën, veçanërisht ndaj rrufeve, erërave të forta dhe breshrit. Po ashtu, rekomandohet monitorimi i lagështisë së tokës dhe ujitja sipas nevojës, sidomos në zonat ku nuk priten reshje.

