Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka propozuar që ish-presidentit Hashim Thaçi t’i vazhdohet mandati i lënë në gjysmë si president i Kosovës, me kthimin e tij nga Haga.
Haradinaj e ka bërë këtë propozim në një prononcim për media nga holli i Kuvendit të Kosovës, ku ka folur për krizën institucionale dhe moskonstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Në qoftë se do me gjetë zgjidhje Kurti, pra regjimi i Kurtit, me thënë të drejtën, është nderi i kësaj legjislature, po edhe i çdo legjislature, që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati me një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë, si shqiptarë, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake apo politike, po për shkak të një kundërpërgjigjeje ndaj armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin”, tha Haradinaj.
Thaçi u zgjodh president i Kosovës më 26 shkurt 2016, derisa dorëheqja ndodhi më 5 nëntor 2020 pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ndërkohë, pas më shumë se pesë vjetësh të kaluara në paraburgim dhe procesit të gjatë gjyqësor, Dhomat e Specializuara kanë paralajmëruar se më 16 shtator do të shpallet aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Haradinaj: Kuvendi është bërë “inekzistent”
Haradinaj ka kritikuar gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ky institucion është bërë “inekzistent”.
“E vërteta është që ikja e mandatit të atyre që janë zgjedhur është ikje e mundësisë, edhe kjo po ndodh nga regjimi i Kurtit”, ka thënë ai.
Sipas Haradinajt, Kurti po vepron mbi Kushtetutën dhe institucionet e vendit, ndërsa mos-thirrjen e seancës konstituive e ka cilësuar si “alibi”.
“Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, mbi institucionet, mbi çdo obligim kushtetues e ligjor. Mosthirrja e seancës me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë është vetëm alibi”, u shpreh Haradinaj.
Ai ka kritikuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje për mospropozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, teksa ka thënë se gjuajtja me vezë për Kurtin ka ndodhur jo pse e ka thirrë seancën, por pse nuk po e kandidon kryetarin e Kuvendit.

