Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, të shtunën ka vizituar sportistët dhe delegacionin kosovar që po qëndrojnë në anijen “AROYA” në Taranto, ku po zhvillohen aktivitetet e Lojërave Mesdhetare 2026.
Haxhiu ishte e shoqëruar nga ministrat Blerim Gashani dhe Elbert Krasniqi, si dhe nga ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala.
Gjatë vizitës, ajo u prit nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe përfaqësuesit e ekipeve kosovare që po marrin pjesë në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare.
Vizita u zhvillua në kuadër të mbështetjes dhe përkrahjes institucionale për sportistët kosovarë, të cilët po përfaqësojnë vendin në Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Fshati këtë herë ka një organizim të veçantë, me sportistët të akomoduar në dy anije të ankoruara në port, Aroya dhe Romantika.
“Gjatë vizitës patëm mundësinë të takojmë nga afër sportistët tanë, të bisedojmë me ta për garat, përvojën e deritanishme dhe sfidat që i presin në ditët në vazhdim. Ishte kënaqësi të shohim përkushtimin dhe krenarinë me të cilën secili prej tyre e përfaqëson Kosovën”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje ka thënën se garat tashmë kanë filluar dhe ne do të jemi pranë sportistëve tanë, duke i mbështetur në çdo paraqitje.
“Urojmë që puna e tyre të shpërblehen me rezultate sa më të mira, që emri i Kosovës të dëgjohet sa më shpesh dhe që nga Taranto të kthehemi me medalje. Suksese ekipit të Kosovës!”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Kosova në këtë ngjarje të madhe sportive po përfaqësohet me 163 sportistë.

