Tuesday, August 25, 2026
HomeLajmeKosovëAktakuza e Prokurorisë, Sheholli dhe raportet me Radoiçiqin

Aktakuza e Prokurorisë, Sheholli dhe raportet me Radoiçiqin

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në aktakuzën e ngritur ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit, ka përfshirë edhe një sërë paraqitjesh publike dhe deklarimesh të tij lidhur me Milan Radoiçiqin.

Sipas aktakuzës, një raport informues i Policisë së Kosovës, i hartuar mbi bazën e informacioneve të mbledhura nga burime të hapura, evidenton deklarime, intervista dhe paraqitje publike të Shehollit, të cilat Prokuroria i ka përfshirë në materialin provues të rastit.

Në raport, sipas aktakuzës, i kushtohet vëmendje e veçantë deklarimeve të Shehollit për Radoiçiqin, i cili kërkohet nga organet e drejtësisë në Kosovë.

Sipas aktakuzës, në disa paraqitje publike Sheholli kishte shprehur besim në pafajësinë e Milan Radoiçiqit lidhur me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Në materialin e përfshirë në aktakuzë thuhet se Sheholli kishte deklaruar se Radoiçiqit duhej t’i jepej mundësia për ta dëshmuar pafajësinë e tij.

Po ashtu, Prokuroria i referohet paraqitjeve të tjera mediale të Shehollit, në të cilat, sipas saj, ai e kishte paraqitur Radoiçiqin si një person me ndikim pozitiv në veriun e Kosovës.

Këto deklarime janë përfshirë në raportin e Policisë së Kosovës, të cilin Prokuroria e ka paraqitur si pjesë të provave në aktakuzën për spiunazh.

Në aktakuzë përmendet gjithashtu një paraqitje televizive e vitit 2023, ku Sheholli kishte zhvilluar një bisedë telefonike të transmetuar drejtpërdrejt me një person të identifikuar në material si Milan Radoiçiq.

Sipas Prokurorisë, telefonata ishte transmetuar më 11 qershor 2023 në emisionin “Kojshia Show”.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kësaj bisede janë përcjellë deklarime lidhur me praninë e Radoiçiqit në territorin e Republikës së Kosovës, në kohën kur ndaj tij ishin aktive procedurat dhe masat e kërkimit nga organet e drejtësisë.

Prokuroria e ka përfshirë këtë material në raportin informues të Policisë së Kosovës, së bashku me intervista, artikuj dhe materiale audio-vizuale të tjera që lidhen me paraqitjet publike të Shehollit.

Sipas aktakuzës, raporti informues i Policisë së Kosovës është hartuar mbi bazën e të dhënave dhe materialeve të publikuara në burime të hapura.

Prokuroria pretendon se këto materiale, të analizuara në tërësinë e tyre dhe të ndërlidhura me provat e tjera të rastit, mbështesin dyshimin se Sheholli ka zhvilluar veprimtari të vazhdueshme të ndikimit në opinionin publik në favor të interesave shtetërore dhe politikave të Serbisë.

Fatmir Sheholli akuzohet nga Prokuroria Speciale për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit. Ai konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram