Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij ish-kongresistin amerikan me origjinë shqiptare, Joe DioGuardi, dhe Shirley Cloyes DioGuardi, një ditë pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dekretoi dhënien e shtetësisë së Kosovës për ta.
Pas takimit me DioGuardët, Kurti zhvilloi një takim edhe me anëtarë të Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti i falënderoi Joe dhe Shirley DioGuardi për kontributin e tyre shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës dhe shqiptarëve, fillimisht përmes Kongresit amerikan dhe më pas përmes Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
“Të dy përherë dhe palëkundur qëndruan për kombin dhe me popullin shqiptar. Joe e Shirley gjithnjë interesohen për zhvillimet në Kosovë dhe japin ide e kontribut të çmuar”, ka thënë Kurti.
Kryeministri në detyrë vlerësoi edhe kontributin e anëtarëve të Bordit të Ligës, me të cilët diskutoi për angazhimin e tyre dhe zhvillimet aktuale, si dhe për të ardhmen e Kosovës.
Kurti përmendi edhe rolin e ish-kongresistit Joe DioGuardi, si kongresisti i parë amerikan me origjinë shqiptare, duke e renditur atë krahas figurave si Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel, të cilët, sipas tij, ishin ndër zërat e hershëm dhe të fuqishëm në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës.
“Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë, edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në SHBA, andaj jemi përherë mirënjohës si shtet dhe popull”, ka theksuar Kurti.


