Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë kërkuar sërish vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, teksa kanë akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për bllokimin e procesit të krijimit të institucioneve të reja.
Në aktivitetin e mbajtur para ndërtesës së Qeverisë, përfaqësues të PDK-së thanë se moskonstituimi i Kuvendit po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët dhe komunat, duke penguar trajtimin e çështjeve dhe projekteve me rëndësi.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kërkoi që Kurti dhe ministrat e tij të kthehen në Kuvend për t’i hapur rrugë konstituimit të institucioneve.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, e akuzoi Kurtin për pengimin e konstituimit të Kuvendit, duke thënë se deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të fituar nga qytetarët.
PDK dhe AAK kanë përsëritur kërkesën për kthimin e kushtetutshmërisë dhe zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

