Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, së bashku me nënkryetaren Besianë Musmurati dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, kanë zhvilluar sot një takim në Ndërmarrjen Publike “Pastrimi”, ku kanë diskutuar për gjendjen aktuale të shërbimeve të pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë.
Gjatë takimit me drejtuesit dhe punëtorët e ndërmarrjes, përfaqësuesit e Komunës kanë diskutuar drejtpërdrejt për sfidat aktuale dhe masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e situatës.
Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, gjatë takimit është theksuar nevoja për veprime të menjëhershme për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit, krahas ndërtimit të një zgjidhjeje afatgjatë dhe të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
Përfaqësuesit institucionalë dhe drejtuesit e ndërmarrjes janë zotuar se do të ndërmarrin hapat e mëtejmë për adresimin e problemeve dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Komuna ka deklaruar se synimi është që çështja e pastrimit në kryeqytet të marrë një zgjidhje përfundimtare dhe që menaxhimi i mbeturinave të organizohet në mënyrë më efikase dhe të qëndrueshme.

