Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke u shprehur se beson në pafajësinë e tyre.
Kurti ka deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare kundër okupimit serb.
“Lufta Çlirimtare e Popullit të Kosovës, bartëse dhe organizatore e së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është luftë e drejtë, çlirimtare, antikolonialiste kundër okupatorit shekullor serb dhe nuk ka proces gjyqësor as në vend, as jashtë tij, që mund ta njollosë UÇK-në”, ka thënë Kurti.
Ai ka shprehur shpresën që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë, duke theksuar se beson në pafajësinë e tyre.
“Ne shpresojmë më të mirën dhe dëshirojmë që të na kthehen në Kosovë të lirë. Besojmë në pafajësinë e tyre dhe kjo është kryesorja”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë, vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator 2026.
Kurti po ashtu ka theksuar se procesi gjyqësor në Hagë dhe negociatat politike për zgjedhjen e presidentit janë dy procese të ndara.
“Në anën tjetër, procesi i negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin për president ose presidente është një proces i ndarë, është proces politik dhe jo i drejtësisë”, ka thënë ai.

