Wednesday, August 26, 2026
HomeLajmeKosovëPërfundon takimi LVV–LDK, Kurti: Kemi folur për emra të përveçëm për president

Përfundon takimi LVV–LDK, Kurti: Kemi folur për emra të përveçëm për president

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se diskutimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit do të vazhdojnë, duke bërë të ditur se në takimin e sotëm janë trajtuar për herë të parë emra konkretë.

Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti e ka cilësuar diskutimin si të hapur, të sinqertë dhe serioz.

“Diskutimi ishte i hapur, i sinqertë, serioz. Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.

Ai ka thënë se palët kanë diskutuar emra konkretë mbi bazën e kritereve dhe parimeve të dakorduara më herët, që lidhen me vlerat, meritat dhe kontributin kombëtar, shtetëror, profesional e qytetar.

Sipas Kurtit, negociatat tani janë më të vështira, pasi për secilin emër të propozuar duhet të dëgjohen dhe të argumentohen qëndrimet e palëve.

“Shumësia e emrave që trajtohen shtohet atëherë kur njëri prej bashkëbiseduesve sjell emër të ri dhe argumenton për personin. Lista e atyre emrave zvogëlohet atëherë kur është e qartë se nuk do të mund të ketë dakordim për ndonjë emër të përveçëm”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se procesi do të jetë transparent, por emrat e diskutuar do të mbeten konfidencialë deri në arritjen e një marrëveshjeje.

“Duhet ta ruajmë, duhet ta mbrojmë konfidencialitetin e bisedimeve të brendshme”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se personat e diskutuar nuk janë kontaktuar paraprakisht për të pyetur nëse do ta pranonin kandidaturën për president.

I pyetur nëse negociatat do të zgjasin gjatë, Kurti ka thënë se nuk pret që procesi të zgjasë me muaj, por ka shtuar se palët do të vazhdojnë komunikimin dhe takimet.

“Nuk është çështje muajsh kur ne duhet të merremi vesh. Është çështje javësh e do të dëshironim që të ishte çështje ditësh. Por komunikimi nuk ndërpritet, takimet do të vazhdojnë”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë të ditur se tashmë procesi ka hyrë në një fazë të re, në të cilën po negociohet drejtpërdrejt për emra konkretë për presidentin apo presidenten e ardhshme të Kosovës.

Ai ka falënderuar Abdixhikun dhe bashkëpunëtorët e tij për seriozitetin dhe sinqeritetin e treguar gjatë negociatave, të cilat i ka cilësuar si “mjaft të vështira”.

Kurti ka bërë të ditur se nuk mund të japë detaje konkrete për numrin apo identitetin e personave të propozuar për president, por ka thënë se të gjitha propozimet e paraqitura në takimin me LDK-në kanë qenë në përputhje me kriteret e dakorduara.

“Më vjen keq që në këtë fazë unë nuk mund të jap informacion konkret për këta emra, qoftë për numrin e tyre apo për karakteristikat e tyre. Por ajo që është e rëndësishme është se të gjitha propozimet të cilat janë sjellë në tryezën e diskutimit sot kanë qenë në përputhje me atë çfarë jemi dakorduar sa i përket kritereve, standardeve, parimeve, vlerave, meritave dhe kontributit të këtyre personaliteteve”, ka thënë Kurti.

Ai ka vlerësuar se të gjithë emrat e diskutuar janë personalitete të denja, por ka theksuar se synimi është të arrihet te kandidatura më e përshtatshme.

“Të gjithë janë personalitete të mira, të gjithë janë shumë të mira, por neve na duhet të zgjedhim atë që është e shkëlqyeshme”, ka deklaruar Kurti.

Sa i përket situatës në Kuvend, Kurti ka thënë se institucionet nuk janë duke pritur, por janë duke punuar për arritjen e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

“Ne nuk jemi duke pritur, jemi duke punuar ditë e natë që të arrijmë një marrëveshje politike”, është shprehur ai.

Kurti ka thënë se, sipas tij, numrat ekzistojnë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, por se këto procese do të ishin të pamjaftueshme nëse nuk arrihet një marrëveshje për një president konsensual dhe kushtetues.

Ai ka përmendur edhe vonesat e vitit të kaluar në konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se atëherë nga zgjedhjet e 8 shkurtit deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, më 26 gusht, kishin kaluar më shumë se gjashtë muaj.

Ndërkaq, lidhur me thirrjen e seancës konstituese, Kurti ka thënë se kjo çështje është në kompetencë të kryesuesit të përkohshëm të Kuvendit, deputetit më të vjetër, Avni Dehari.

Ai ka deklaruar se nuk mund të vendosë për thirrjen e seancës dhe as për veprimet që mund të ndërmerren lidhur me interpretimin e Kushtetutës.

Kurti ka theksuar se deputetët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse konsiderojnë se ka pasur shkelje, por ka shtuar se ai nuk beson se procesi aktual përbën shkelje të Kushtetutës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram