Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë të martën mbrëma në fshatin Kukaj të Prishtinës në hapjen zyrtare të SERPENTINE 2026, një hapësirë e re shumëdisiplinare dedikuar artit dhe kulturës.
SERPENTINE sjell një program që ndërthur teatrin bashkëkohor, muzikën, instalacionet artistike e zanore, si dhe forma të tjera të krijimtarisë.
Kurti tha se kjo hapësirë përfaqëson një kapitull të ri për artin dhe kulturën në Kosovë. Ai theksoi se SERPENTINE nuk është vetëm një objekt për organizimin e ngjarjeve kulturore, por një hapësirë ku arti mund të krijohet, zhvillohet dhe prezantohet.
Sipas Kurtit, SERPENTINE përfshin tri hapësira teatrore, instalacione permanente artistike e zanore, “Muzeun Emocional”, “Shtëpitë e Kujtimeve”, “Akuariumin e Kujtesës” dhe programin e rezidencave artistike.
Ai vlerësoi gjithashtu mundësitë që kjo hapësirë krijon për bashkëpunimin e artistëve nga Kosova me artistë nga rajoni dhe Evropa.
“Dy hapësira kulturore në një fshat të vogël janë një pasuri e madhe për gjithë Kosovën”, tha Kurti, duke iu referuar edhe EtnoFest-it, i cili prej vitesh zhvillohet në Kukaj.
Kryeministri në detyrë tha se EtnoFest-i dhe SERPENTINE, ndonëse të ndryshme në karakter, e plotësojnë njëra-tjetrën. Sipas tij, EtnoFest-i ruan lidhjen me trashëgiminë, traditën dhe kujtesën kulturore, ndërsa SERPENTINE fokusohet në teatrin bashkëkohor, instalacionin, muzikën dhe format e reja të shprehjes artistike.
Në fund të ceremonisë, Kurti uroi themelueset e SERPENTINE, Arta dhe Ilirjana Arifi, si dhe ekipin e tyre, ndërsa shprehu mirënjohje për profesorin Fadil Hysaj dhe të gjithë të përfshirët në zhvillimin e EtnoFest-it dhe jetës kulturore në Kukaj.


