Thursday, August 27, 2026
HomeLajmeKosovëMbetjet në Zubin Potok shtojnë presionin mbi Beogradin për hapjen e arkivave

Mbetjet në Zubin Potok shtojnë presionin mbi Beogradin për hapjen e arkivave

Mbetjet mortore në Zubin Potok kanë rindezur një betejë të ashpër diplomatike për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Krerët e shtetit vazhdojnë të ripërsërisin kërkesën që ndërkombëtarët të rritin trysninë ndaj Serbisë për hapjen e arkivave ushtarake, në mënyrë që të zbardhet fati i secilit person që ende figuron i zhdukur.

“Faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë prezantimit të raportit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për gërmimet katërjavore në zonën e Zubin Potokut, ku u gjetën mbetje mortore të 23 personave.

Lidhur me këtë kërkesë janë deklaruar edhe disa nga ambasadat e shteteve të Quint-it në Kosovë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë për RTK-në se mbështet përpjekjet për zbardhjen e krimeve të luftës dhe gjetjen e përgjigjeve për familjet e viktimave.

“Zyrtarisht Ambasada e SHBA-së vazhdon të mbështesë përpjekjet për hetimin e krimeve të luftës dhe sjelljen e drejtësisë për familjet e viktimave të luftës. Çdo familje meriton përgjigje për fatin e të dashurve të tyre”, kanë thënë nga Ambasada amerikane.

Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe Ambasada e Gjermanisë, duke iu referuar Deklaratës për Personat e Pa Gjetur, të miratuar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2023.

“Ndër detyrat e këtij komisioni, ku bëjnë pjesë si Kosova ashtu edhe Serbia, është sigurimi i qasjes në të gjitha dokumentacionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha palëve që të ofrojnë qasje në informacione të sakta dhe të besueshme lidhur me personat e pagjetur dhe varrezat masive të dyshuara”.

Ndërkaq Ambasada Britanike, përmes një njoftimi, ka theksuar se qëndrojnë pranë familjeve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ndërsa kanë mirëpritur gjetjen e mbetjeve mortore në Zubin Potok.

Pas gjetjeve në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur kanë bërë të ditur se pritet që gërmime të tjera të zhvillohen edhe në lokacione të tjera në Kosovë.

“Gjatë tetë muajve të vitit 2026, kemi diku 19-20 lokacione të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues. Kemi edhe një sërë rastesh apo lokacionesh për të cilat tanimë janë siguruar urdhëresat nga gjykatat kompetente përmes Departamentit për Krime Lufte të Prokurorisë”, tha Kushtrim Gara.

Ndërsa Ahmet Grajçevci nga Këshilli Kordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës, vlerëson se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e ashpër ndaj Serbisë, veçanërisht sa i përket kërkesës për hapjen e arkivave.

“Kjo është kërkuar dhe është nënshkruar dhe unë gjithëherë kam qenë skeptik edhe në Bruksel, që të kërkohen ato arkiva. Ato arkiva ata ose i kanë fshehur ose i kanë asgjësuar. Se asnjë send, në bazë të dokumenteve që i kemi nxan ne, çdo gjë është e evidentuar mirë. Kjo çështje e personave të zhdukur prej një çështje humanitare kaloi në çështje politike. Tash Serbia po e shfrytëzon gjithëherë politikisht çështjen e personave të zhdukur dhe këta nuk është dashur bashkësia ndërkombëtare ta lejojë”, tha ai.

Mbi 1600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta në Kosovë. Për familjet e tyre, çdo varrezë e zbuluar dhe çdo dokument i ri mbetet një mundësi për të marrë përgjigjen që e presin prej më shumë se dy dekadash.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram