Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar takim me kryetarët e komunave të rajonit të kryeqytetit për situatën me pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave.
Në takim morën pjesë kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndërsa kanë munguar kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe i Obiliqit, Halil Thaçi, të tre nga Vetëvendosje.
Në fokus siç është thënë ishin sfidat e menaxhimit të mbeturinave, koordinimi ndërkomunal dhe mundësitë për bashkëpunim.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se një nga zgjidhjet më të mira do të ishte që secila komunë të marrë përgjegjësinë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e territorit të saj.
“Prishtina, përkundër faktit që i ka 77.6% të aksioneve, ka vetëm një anëtar, një anëtar të bordit. Pra nuk mundet me e menaxhu procesin. Po ashtu Lipjani e Drenasi janë në rotacion, pra edhe Lipjani edhe Drenasi varen nga anëtarët e bordit të komunave të tjera. E kjo vlen edhe për komunat e tjera. Kështu që mënyra më e mirë, me përgjegjësinë më të madhe për secilin kryetar, për secilin qytet, është që pastrimi pra të krijohet në bazë të komunave, secila komunë ta ketë ekipën e vet, të jetë përgjegjëse 100% për ekipën e vet edhe për pastrimin e zonave të veta, pra të komunave përkatëse”, tha ai.
Rama për mos pjesëmarrjen e kryetarëve të disa komunave në këtë takim, tha se pikërisht fakti që kompania e pastrimit “Pastrimi” është regjionale dhe si e tillë vendimet duhet të merren nga bordi, anëtarë të së cilës janë dhe pjesëtarët nga këto komuna.

