Friday, August 28, 2026
HomeLajmeKosovëPDK dhe Aleanca në Kuvend, kërkojnë sërish vazhdimin e seancës konstituive

PDK dhe Aleanca në Kuvend, kërkojnë sërish vazhdimin e seancës konstituive

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mbledhur sërish të premten në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, duke vazhduar kërkesën për rifillimin e seancës konstituive.

Përveç përfaqësuesve të PDK-së dhe AAK-së, në sallën e Kuvendit janë parë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, nga foltorja e Kuvendit tha se Kosova është marrë peng nga deputeti Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, të cilët, sipas saj, po luajnë me fatin e vendit dhe durimin e qytetarëve.

“Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp. Kosova është marrë peng nga një parti, e cila erdhi në pushtet me fjalë të mëdha. Kosova është marrë peng nga një parti, e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë më të mirë ta keqpërdorë për ambiciet e veta për pushtet”, tha Musliu.

Duke theksuar se të gjithë ata që kanë hyrë në “vallen e shtetshkatërrimit” do t’i ndëshkojnë ligji dhe historia, Musliu ripërsëriti kërkesën e PDK-së që Albin Kurti dhe LVV-ja të kthehen në Kuvend për ta konstituuar këtë institucion.

Edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar shumicën parlamentare për moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se kjo situatë e ka futur Kosovën në një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike.

Ai tha se gjendja në vend po përkeqësohet dhe po shkon drejt një pike kritike, duke e ndërlidhur situatën edhe me aspektin e sigurisë dhe ekonomisë.

“Tanimë kjo shumicë parlamentare, e cila prej disa ditësh është duke bojkotuar dhe duke mos e ushtruar detyrën e saj kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik”, tha ndër të tjera Tahiri.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa prania e përfaqësuesve ndërkombëtarë vjen në një kohë kur partitë politike po përballen me një ngërç të vazhdueshëm institucional.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram