Friday, August 28, 2026
HomeStilSot ndodh eklipsi i pjesshëm i Hënës!

Sot ndodh eklipsi i pjesshëm i Hënës!

Sahudin M. Hysenaj, astronom

Eklipsi i fundit i pjesshëm i Hënës për vitin 2026 do të jetë i vrojtueshëm edhe nga Kosova – 28 gusht 2026

Sot, më 28 gusht 2026, do të ndodhë eklipsi i fundit i pjesshëm i Hënës për këtë vit. Ky spektakël i bukurisë në qiell do të jetë i vrojtueshëm edhe nga Republika e Kosovës, veçanërisht në orët e hershme të mëngjesit, kur Hëna do të ndodhet pranë horizontit në perëndim.

Sipas të dhënave astronomike për Prishtinën, eklipsi do të fillojë në orën 03:23. Në këtë fazë të parë, Hëna do të hyjë në pjesën e skajshme të hijes së Tokës (penumbrën), andaj ndryshimi i shkëlqimit të saj do të jetë relativisht i vështirë për t’u dalluar me sy të lirë.

Më pas, fenomeni do të bëhet gjithnjë e më i dukshëm, ndërsa Hëna do të hyjë në hijen e plotë të Tokës (umbrën). Nga ky këndvështrim, eklipsi paraqet pamjen më mbresëlënëse të këtij fenomeni.

Në Prishtinë, maksimumi i eklipsit do të ndodhë në orën 05:56, me një magnitudë prej 0,893. Eklipsi lokal do të përfundojë në orën 05:59, ndërsa kohëzgjatja e përgjithshme e këtij fenomeni do të jetë 2 orë e 36 minuta.

Gjatë eklipsit, një pjesë shumë e madhe e diskut hënor do të përfshihet nga hija e Tokës. Në maksimum, rreth 89,3% e diametrit të diskut hënor do të jetë e përfshirë nga umbra, çka e bën këtë një eklips atraktiv për vrojtim.

Kushtet e vrojtimit nga Kosova

Për vrojtuesit në Kosovë, ky fenomen do të ketë një veçori të veçantë: Hëna do të jetë shumë pranë horizontit në perëndim në orët e fundit të natës dhe në agim. Në të njëjtën kohë, qielli në lindje do të fillojë të ndriçohet nga rrezet e para të Diellit. Prandaj, për një vrojtim sa më të mirë, duhet zgjedhur një vend me horizont të hapur dhe të pastër drejt perëndimit, pa ndërtesa, male apo pengesa eventuale që mund ta fshehin Hënën.

Sa më i ulët dhe më i hapur të jetë horizonti perëndimor, aq më të mira do të jenë mundësitë për ta ndjekur këtë spektakël të bukurisë në qiell.

Ndryshimet e gjerësisë gjeografike brenda territorit të Kosovës janë relativisht të vogla, andaj kushtet e përgjithshme të vrojtimit do të jenë të ngjashme në pjesën më të madhe të vendit. Ndryshimet e vogla nga njëra zonë në tjetrën lidhen kryesisht me pozicionin gjeografik dhe, në veçanti, me gjatësinë gjeografike.

Një spektakël që ia vlen të vrojtohet

Eklipset hënore janë ndër dukuritë më të bukura dhe më të lehta për t’u vrojtuar në qiellin e natës.

Ato ndodhin kur Toka kalon ndërmjet Hënës së plotë dhe Diellit dhe hedh hijen e vet mbi Hënën (fig.).

Në fazën e Hënës së plotë, gjithmonë Toka është në një vijë ndërmjet Diellit dhe Hënës. Eklipset e Hënës mund të jenë të plota ose të pjesshme, nëse Hëna futet krejtësisht apo pjesërisht në hijen konike të Tokës. Një eklips i plotë i Hënës zgjat rreth 2 orë. Eklipset e Hënës mund të vrojtohen nga çdo pikë e Tokës, e cila e shikon Hënën. Eklipset e Diellit vrojtohen vetëm në ato vende ku bie hija konike e Hënës.

Eklipsi i 28 gushtit është një mundësi e mirë për adhuruesit e astronomisë në Kosovë që të ngrihen herët dhe të drejtojnë sytë drejt qiellit perëndimor.

Prandaj, për vrojtuesit kosovarë: zgjidhni një vend me horizont të hapur drejt perëndimit dhe bëhuni gati në orët e hershme të mëngjesit.

Një mëngjes i hershëm, për një spektakël të bukurisë në astronomi mbi qiellin e Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram