Friday, August 28, 2026
HomeLajmeKosovëPDK dhe Aleanca kërkojnë sërish zhbllokimin e konstituimit të Kuvendit

PDK dhe Aleanca kërkojnë sërish zhbllokimin e konstituimit të Kuvendit

Sot sërish, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për bllokimin e procesit të formimit të institucioneve të reja.

Në një aktivitet të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë, përfaqësues të PDK-së, bashkë me asamblistët dhe aktivistët nga Komuna e Ferizajt dhe Hani i Elezit, thanë se moskonstituimi i Kuvendit po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët dhe komunat, duke penguar trajtimin e çështjeve dhe realizimin e projekteve me rëndësi.

“Mesazhi ynë për deputetin Kurti është i qartë: hiq dorë nga uzurpimi institucional dhe ktheju rendit kushtetues, duke mundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. PDK nuk do të ndalet në mbrojtje të shtetit. PDK nuk do të zmbrapset në mbrojtje të interesit të qytetarëve”, është thënë pos tjerash në këtë aktivitet.

PDK-së në këto aktivitete i është bashkuar edhe Aleanca. Të dyja subjektet politike kanë deklaruar se përmes këtyre aksioneve po kundërshtojnë zvarritjen e procesit të konstituimit të institucioneve të reja.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës i kanë kërkuar sërish kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që të thërrasë vazhdimin e seancës sot në ora 11:00. Kurse Aleanca ka njoftuar se sot do të mbajë konferencë për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Këto dy parti kanë thënë se do t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre deri në thirrjen e seancës për vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram