Sot do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të çrregullta. Gjatë ditës, vranësirat do të dendësohen duke krijuar kushte për zhvillim të vranësirave konvektive, të shoqëruara me shkarkime rrufesh dhe reshje lokale shiu. Nuk përjashtohet mundësia që reshjet të jenë të shkurtra dhe lokalisht të shoqëruara me erëra të përforcuara.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se temperaturat minimale do të lëvizin nga 12°C deri në 17°C, ndërsa temperaturat maksimale nga 28°C deri në 34°C.
“Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi, me shpejtësi 1–8 m/s, ndërsa në zonat ku zhvillohen vranësira konvektive mund të ketë përforcime të përkohshme të erës. Kushtet biometeorologjike: Moti i ngrohtë gjatë ditës mund të shkaktojë ngarkesë të lehtë deri mesatare termike, veçanërisht gjatë orëve të pasdites. Në zonat me reshje dhe erëra të përforcuara, kushtet do të jenë përkohësisht më të freskëta. Kushtet agrometeorologjike: Temperaturat e larta do të favorizojnë avullimin dhe humbjen e lagështisë nga toka, prandaj në parcelat bujqësore me lagështi të pamjaftueshme rekomandohet monitorimi i gjendjes së kulturave dhe ujitja sipas nevojës. Reshjet lokale mund të sjellin përmirësim të përkohshëm të lagështisë së tokës, por për shkak të karakterit lokal mund të jenë të pabarabarta”, njofton IHMK.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton edhe për Indeksin UV, i cili do të jetë I lartë deri shumë i lartë (6–8) gjatë intervalit me rrezatim më të fuqishëm diellor. “Rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur në diell gjatë mesditës”, njofton IHMK.

