Qytetarë u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë në protestën e 92-të kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke parashtruar edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Qytetarët vijojnë të përsërisin kërkesat edhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e “kastës së vjetër” politike, shfuqizimin e ndyshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor etj.
E nisur si reagim ndaj ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.

