Monday, August 31, 2026
HomeLajmeKosovëNis gjykimi për rastin e barrikadave në veri

Nis gjykimi për rastin e barrikadave në veri

Më shumë se tre vjet pas tensioneve që përfshinë veriun e Kosovës, rasti penal për barrikadat e dhjetorit të vitit 2022 është rikthyer në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po mbahet seanca e shqyrtimit fillestar.

Në Pallatin e Drejtësisë ka nisur seanca ndaj gjashtë personave, të cilët Prokuroria Speciale i lidh me organizimin dhe vendosjen e barrikadave në rrugët kryesore të komunave veriore.

Në mesin e të akuzuarve janë Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavleviq, Nemanja Jolloviq, Dushan Drobaç, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orlloviq.

Të akuzuarit Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavleviq, Nemanja Jolloviq, Dushan Drobaç dhe Sërgjan Vuçiniq janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa Nenad Orlloviq mungon.

Gjykata ka përsëritur urdhërarrestin ndaj tij. Organet e rendit e kanë zbatuar urdhrin e gjykatës, por Orlloviq nuk është gjetur në vendbanimin e tij. Sipas fqinjëve, ai nuk jeton më aty dhe dyshohet se ndodhet në Serbi.

E pranishme në seancë është avokatja e tij, Donjeta Leka, ka bërë të ditur gjyqtari Rrahman Beqiri.

Procesi gjyqësor nuk kishte mundur të niste sipas planit në seancën e kaluar, për shkak të problemeve me praninë e disa prej të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.

Njëri prej të akuzuarve, Dushan Maksimoviq, nuk ishte sjellë nga paraburgimi, ndërsa avokati i tij, Mahmut Halimi, kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të merrte pjesë për shkak të një angazhimi tjetër profesional në Mitrovicë.

Probleme me praninë në seancë kishte edhe në rastin e Nemanja Jolloviqit. Gjykata kishte bërë të ditur se atij nuk i ishte dorëzuar ftesa për seancë.

Policia e Kosovës kishte raportuar se, bazuar në informacionet e mbledhura në terren, Jolloviqi ishte larguar nga Kosova dhe ishte vendosur në Serbi. As urdhri për sjelljen e tij me detyrim nuk kishte dhënë rezultat, pasi policia nuk e kishte gjetur në adresën e regjistruar.

Për këtë arsye, prokurori Admir Shala kishte kërkuar që procedura ndaj Jolloviqit të ndahej nga rasti i pesë të akuzuarve të tjerë.

Në qendër të aktakuzës janë ngjarjet e dhjetorit të vitit 2022, kur veriu i Kosovës u përball me një nga periudhat më të tensionuara të viteve të fundit.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit, në bashkëkryerje, kanë përdorur forcë dhe mjete të ndryshme për të bllokuar rrugët dhe për të penguar punën e institucioneve të Kosovës.

Në aktakuzë përmenden kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autobusë, autoambulanca dhe automjete të tjera, të cilat dyshohet se janë përdorur për vendosjen e barrikadave.

Barrikadat u vendosën në dhjetor të vitit 2022, në kohën kur serbët lokalë kundërshtonin zbatimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve dhe dokumentet e hyrje-daljes.

Situata ishte përshkallëzuar edhe pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq. Në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të tij dhe kërkesës për lirimin e tij, rrugët që çonin drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak u bllokuan me barrikada.

Barrikadat qëndruan për disa javë dhe shkaktuan tensione të larta në veri të Kosovës, duke vështirësuar lëvizjen dhe qarkullimin drejt pikave kufitare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram