Tuesday, September 1, 2026
HomeKulturëNjë vit pa Dhimitër Anagnostin, regjisori i shquar la pas një pasuri...

Një vit pa Dhimitër Anagnostin, regjisori i shquar la pas një pasuri të çmuar

Një vit më parë, arti dhe kultura shqiptare humbën një prej figurave të tyre më të shquara, Dhimitër Anagnostin. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, kujtimi i tij mbetet i gjallë përmes veprës së pasur që ai la pas dhe gjurmës së thellë që la në kinematografinë shqiptare.

Dhimitër Anagnosti ishte një emër që i dha ekranit shqiptar një gjuhë të veçantë, të ndërtuar mbi humanizmin, vëzhgimin e hollë të jetës dhe dashurinë për njeriun. Si regjisor, skenarist dhe një prej mjeshtërve të kinemasë sonë, ai krijoi vepra që nuk i përkasin vetëm kohës kur u realizuan, por vazhdojnë të flasin edhe sot.

Në filmat e tij jetojnë njerëz të zakonshëm, me ëndrra, dhimbje, heshtje, përballje dhe shpresa. Përmes tyre, Anagnosti dinte të tregonte Shqipërinë dhe shqiptarët me një ndjeshmëri të rrallë, duke i dhënë historisë sonë artistike një pasuri që do të mbetet gjatë.

Pranë tij, për dekada, ishte Roza Anagnosti. Dashuria e tyre nuk ishte vetëm ajo që shihet në fotografi. Ishte edhe bashkëudhëtimi. Ishte mirëkuptimi i dy njerëzve që ndanë jo vetëm jetën, por edhe pasionin për artin.

Në historinë e tyre, Dhimitër dhe Roza Anagnosti janë dy emra që shfaqen pranë njëri-tjetrit. Dy artistë. Dy jetë të lidhura. Dhe një histori familjare që vazhdoi përtej skenës dhe ekranit.

“Ai, me sa duket, ishte përgatitur për këtë ditë, por unë nuk isha përgatitur dhe ky vit ka qenë tepër i vështirë, dhe kam ruajtur çdo gjë, si të thuash, në jetën time. Po një gjë nuk ka ndryshuar: që unë kam qenë gjithë kohën me të, në studion e tij, në veprat e tij, në korrespondencat e tij, në skenarët e tij. Që nga skenari letrar shikoj vetëm se sa kanë shkruar me dorë atëherë. Ai nisej nga një e vërtetë për të thënë pastaj, për të zbërthyer gjithë karakteret e ndryshme të filmit dhe bazohej në kulturën tonë. Dhe ai e ka thënë vetë që unë kam folur shqip, domethënë, kuptimin që kjo është vlera që ne edhe në Evropë do të sjellim diçka të re.Në qoftë se ma pëlqen, thotë populli im, atëherë jam i bindur që do ta pëlqejë edhe jashtë thoshte ai”, tha Anagnosti.

Një vit pas ikjes së tij, mungesa ndihet, por vepra mbetet. Dhe ndoshta ky është ngushëllimi më i madh për një artist të madh: të vazhdojë të jetojë përmes asaj që krijoi.

Dhimitër Anagnosti nuk është më mes nesh, por është ende në ekranet tona, në kujtesën tonë dhe në historinë e kinemasë shqiptare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram