Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, njofton se gjatë një operacioni të zhvilluar sot në fshatin Nabërgjan të Pejës, janë sekuestruar rreth 10 kilogramë e 500 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.
Sipas njoftimit nga Prokuroria, operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga hetuesit e Njësitit për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, të cilët, në kuadër të veprimeve hetimore dhe operative, kanë realizuar sekuestrimin e substancës narkotike.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, i cili ka koordinuar dhe mbikëqyrur veprimet e mëtejshme procedurale.
“Gjatë operacionit, Policia e Kosovës ka arrestuar një (1) person të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge””, thuhet në njoftim.
Personi i dyshuar është duke u intervistuar nga hetuesit në Stacionin Policor, ndërsa hetimet dhe veprimet e mëtejshme procedurale po vazhdojnë nën udhëzimet dhe koordinimin e prokurorit të shtetit.
Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë operacionit është sekuestruar edhe një telefon mobil, i cili do të jetë objekt i procedurave të mëtejshme hetimore.
Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës theksojnë se mbeten të përkushtuara në luftimin e dukurisë së narkotikëve dhe veprave penale që ndërlidhen me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të substancave narkotike, duke ndërmarrë veprime të koordinuara hetimore dhe operative me qëllim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprave penale.

