Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë Të Sektorit Privat ka kujtuar grevën e punëtorëve të mbajtur më 3 shtator 1990, e cila kishte qenë ngjarje që shpërfaqte revoltën ndaj organeve të dhunshme në Kosovë ndaj punëtorëve.
“Në atë kohë, sindikatat e Kosovës bënë thirrje për një grevë të përgjithshme, me qëllimin që, përmes një dite të vetme greve, t’u tregonim organeve të dhunshme të instaluara në Kosovë se fuqia e bashkimit tonë ishte më e madhe se arma juaj vrasëse. Dhe atë ditë, Kosova u ndal. Gjithçka ishte e paralizuar. Vetëm dielli vazhdonte të lëvizte”, thuhet në komunikatën kujtuese të Federatës.
Më tej Federata thekson se kjo grevë ka qenë një moment i bashkimit të të gjithë punëtorëve të Kosovës, teksa shprehin respektin për qëndresën që kanë treguar.
“Në ato vite, të gjithë e donim, e çmonim dhe e përkrahnim njëri-tjetrin. Solidarizoheshim me secilin, konsultoheshim dhe bashkërisht merrnim vendime e ndërmerrnim veprime. Nuk kemi qenë pa gabime, por ato veprime kishin një qëllim të madh: që Kosovën ta shihnim të lirë”, vazhdon komunikata.

