Ish-deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar ndaj propozimit të Bekim Sejdiut si kandidat “konsensual” për president të Kosovës duke ngritur dyshime për mënyrën se si është arritur kjo marrëveshje.
Veliu ka ironizuar me termin “konsensual” duke thënë se Sejdiu po paraqitet sot si një zgjidhje e përbashkët e Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit.
“‘Kandidat konsensual’. Kështu po quhet tani Bekim Sejdiu, si të ishte zbuluar papritur në tryezën e përbashkët të Kurtit, Abdixhikut e Vjosa Osmanit”, ka shkruar Veliu.
Ai ka pretenduar se, sipas tij, ky konsensus ka nisur shumë më herët duke iu referuar vendimeve të Sejdiut në Gjykatën Kushtetuese.
“Madje qysh atëherë kur vendimet e tij në Gjykatën Kushtetuese i leverdisnin politikisht VV-së dhe i kushtonin LDK-së”, është shprehur Veliu.
Sipas tij, ajo që dikur mund të ishte konsideruar si “investim politik”, sot po paraqitet si një zgjidhje e pranueshme për të gjithë.
“Në politikën tonë kosovare, me sa duket, edhe borxhet politike paguhen me poste shtetërore. Kësaj radhe hiq më pak se me post Presidenti!”, ka shkruar ai.
Veliu ka kritikuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për qëndrimin ndaj gjashtë deputetëve të partisë që kanë kundërshtuar mbështetjen për kandidaturën e Sejdiut.
“Kësaj radhe, në krejt këtë histori interesash të treshes, Abdixhiku duhet t’i ndalë sulmet ndaj gjashtë deputetëve. Ata nuk janë problemi. Problemi është lidershipi yt që nuk pranon kundërshtim dhe kërkon vetëm bindje”, ka deklaruar Veliu.
Në fund, ai ka kërkuar që qëndrimi i deputetëve të mos trajtohet si problem për partinë.
“Nëse gjashtë deputetë thanë ‘JO’, ti duhet ta pyesësh veten PSE, para se t’i fajësosh. LDK-ja nuk është pronë e askujt. As demokracia nuk është urdhër”, ka përfunduar Veliu.

