Zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë intensifikuar aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar, duke realizuar dhjetëra urdhëresa gjyqësore dhe ndërmarrë masa në funksion të rritjes së sigurisë publike.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë javës së kaluar, në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara, zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë realizuar gjithsej 94 urdhëresa të gjykatës.
Prej tyre, 21 urdhëresa kanë qenë të lidhura me vepra penale, ndërsa pjesa tjetër kanë të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera të përcaktuara nga gjykatat.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresat përkatëse.
Sekuestrohen tri armë zjarri
Aktivitetet policore gjatë kësaj periudhe janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë. Në Rajonin e Prishtinës, gjatë javës së kaluar, zyrtarët policorë kanë sekuestruar tri armë zjarri.
Policia ka vazhduar gjithashtu angazhimin në sigurinë dhe zbatimin e rregullave në komunikacionin rrugor.
Gjatë së njëjtës periudhë, në Rajonin e Prishtinës janë shqiptuar gjithsej 3,641 masa administrative me gjobë, për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut dhe kundërvajtje të parapara me legjislacionin në fuqi.
Nga numri i përgjithshëm i masave, 346 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe veturave të pajisura me radarë mobilë.

