Tuesday, September 8, 2026
HomeLajmeKosovëHoti kërkon Konventën e LDK-së, Abdixhiku: S’rrotullohet shteti për një ambicie

Hoti kërkon Konventën e LDK-së, Abdixhiku: S’rrotullohet shteti për një ambicie

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti, kanë reaguar për zhvillimet e fundit brenda LDK-së.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar qëndrimet e fundit të deputetëve të kësaj partie që dolën kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut pë president të vendit, teksa i ka cilësuar si ambicie personale dhe përplasje për drejtimin e partisë.

“S’rrotullohet shteti për një ambicie. Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se LDK-ja historikisht është njohur për një tjetër kulturë politike, duke shtuar se partia dikur kishte politikanë që jepnin gjithçka për shtetin.

“LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete”, ka deklaruar Abdixhiku.

Më herët po përmes një postimi në Facebook, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar organizimin urgjent të një Konvente të madhe të partisë, të cilën e ka cilësuar si të domosdoshme për pajtim dhe përcaktimin e rrugës së ardhshme të partisë.

“LDK-ja ka nevojë urgjente për një KONVENTË të madhe, për një PAJTIM të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, në këtë Konventë duhet të përfshihen të gjitha strukturat e LDK-së, përfshirë Kuvendin Qendror, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin Parlamentar, kryetarët dhe kryesitë e degëve, anëtarët e LDK-së në kuvendet komunale, si dhe Forumet e Gruas dhe të Rinisë.

Hoti ka theksuar se Konventa duhet të shërbejë si pikënisje për bashkimin e partisë dhe përcaktimin e ekipit që do ta udhëheqë LDK-në drejt zgjedhjeve të ardhshme.

“Mbi të gjitha, KONVENTA duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore.Unë angazhohem për këtë KONVENTË të PAJTIMIT të madh. Vetëm një LDK e bashkuar mund të fitojë besimin e qytetarëve. PAJTIM – BASHKIM – BESIM – FITORE”, ka shkruar ai.

Hoti është në mesin e 6 deputetëve kundërshtues në LDK të marrëveshjes që Abdixhiku e arriti me Vetëvendosjen për emrin e Bekim Sejdiut për president. Një ditë më herët në një intervistë, Hoti tha se partia duhet të drejtohet nga Kujtim Shala, kurse kandidate për kryeministre duhet të jetë Hykmete Bajrami.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram