Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me nderimet shtetërore të organizuara në Serbi për Ratko Mlladiqin, ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid.
Kurti ka thënë ajo çfarë është parë dje në Beograd dëshmon se Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit.
Duke iu referuar ceremonisë së zhvilluar në Serbi, Kurti ka thënë se Ratko Mlladiqi ishte përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë, ku në korrik të vitit 1995 u vranë 8.372 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem.
Ai ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është i dokumentuar dhe i dëshmuar përmes varrezave masive, identifikimeve forenzike, dëshmive të të mbijetuarve dhe dokumentimit të operacionit të vrasjeve dhe fshehjes së trupave.
“Mlladiqi ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj”, shkroi Kurti në Facebook.
Kryeministri në detyrë ka krahasuar Mlladiqin me Slobodan Millosheviqin, të cilin e ka cilësuar si “kasap të Ballkanit”.
“Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar”, tha Kurti.
A është ndalur edhe te përgjegjësia e Serbisë lidhur me gjenocidin në Srebrenicë, duke përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2007.

