Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke vlerësuar se tejkalimi i afatit kushtetues nuk mund të përdoret si arsye për vazhdimin e mosfunksionalizimit të institucionit.
IKD-ja e ka konsideruar pozitive gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të marrë pjesë në seancën e thirrur për 9 shtator, duke kërkuar që procesi i konstituimit të përfundojë.
Sipas këtij instituti, fakti që afati prej 30 ditësh është shkelur tashmë është i pakontestueshëm, por kjo nuk nënkupton se Kuvendi duhet të mbetet i pakonstituuar.
“Shkelja e afatit kushtetues nuk mund të shërbejë si arsye për të vazhduar gjendjen e krijuar. Përkundrazi, Kuvendi duhet të konstituohet dhe shkelja e deritanishme duhet të evidentohet”, ka deklaruar IKD-ja.
Instituti ka drejtuar kritika ndaj kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i konsideruar përgjegjës për pamundësinë e konstituimit brenda afatit kushtetues.
“Përgjegjësia për situatën e krijuar duhet të përcaktohet. Deputetët, ndonëse kanë dhënë betimin, për javë të tëra nuk kanë mundur ta ushtrojnë në tërësi mandatin e tyre”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Sipas IKD-së, zgjatja e kësaj situate ka pasoja për funksionimin e demokracisë përfaqësuese dhe për krijimin e institucioneve të reja.
“Mbajtja e Kuvendit jashtë funksionit nënkupton kufizim të ushtrimit të mandatit të deputetëve dhe pengim të funksionalizimit të institucioneve që burojnë nga vota e qytetarëve”, ka theksuar instituti.
IKD-ja ka argumentuar se tejkalimi i afatit nuk e bën automatikisht të pavlefshme legjislaturën aktuale dhe as nuk e përjashton mundësinë e formimit të Qeverisë apo zgjedhjes së Presidentit.
“Tejkalimi i afatit për konstituim, pavarësisht seriozitetit të shkeljes, nuk e bën vetvetiu juridikisht të pamundur formimin e Qeverisë apo zgjedhjen e Presidentit nga kjo legjislaturë”, thuhet në reagim.
Instituti ka kërkuar nga Vetëvendosje që në seancën e 9 shtatorit të mos vendosë pengesa të reja politike dhe të mos e shtyjë më tej procesin.
“Çdo ditë e re e bllokadës nuk e korrigjon shkeljen e kaluar, por vetëm e thellon atë. Nuk ka rrugë tjetër përveç vazhdimit të procesit të konstituimit”, ka deklaruar IKD-ja.
Në fund, IKD-ja ka bërë thirrje që institucionet të rikthehen sa më shpejt në funksion dhe që procesi politik të vazhdojë drejt formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së Presidentit.
“Kushtetuta nuk mbrohet duke e lënë Kuvendin të pakonstituuar. Ajo mbrohet duke i dhënë fund shkeljes dhe duke rikthyer institucionet në funksion”, thuhet në reagim.

