Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, DHTN Mitrovicë- Jug, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe me asistim të njësive relevante policore, përfshirë NjRSh dhe njësinë K-9, ka realizuar operacionin policor të koduar “Muzgu”.
Në kuadër të këtij operacioni është realizuar kontrolli i një shtëpie dhe një lokali, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar rreth 110.6 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një revole M57, kalibër 7.62 mm, së bashku me dy karikatorë, një pushkë gjuetie, kalibër 12 mm.
Ndër provat e sekuestruara janë edhe nëntë fishekë të kalibrit 7.62 mm, dy fishekë 9×19 mm, katër fishekë për pushkë gjuetie, një peshore digjitale, 150 euro, 6 mijë dinarë serbë, dy radiolidhje dhe një shufër metalike me mbishkrimin “POLIC”.
Dokumentimi, evidentimi dhe sekuestrimi i provave materiale është kryer nga njësia rajonale e kriminalistikës, në përputhje me procedurat përkatëse.
Sipas Policisë, personi i dyshuar nuk është gjetur në lokacion në momentin e kontrollit, ndërsa më vonë është paraqitur në zyrat policore, në prani të avokatit mbrojtës.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me Prokurorinë e Shtetit në luftimin e trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, si dhe në parandalimin e posedimit të kundërligjshëm të armëve.

