Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjen Dragidela në Prishtinë, një nga 51 familjet që kanë përfituar nga masat për efiçiencë të energjisë.
Kurti tha se deri në fund të këtij viti do të përkrahen gjithsej 192 familje, ndërsa deri në vitin 2028 numri pritet të arrijë në 280 familje në tërë Kosovën.
Ai tha se familja Dragidela, e përbërë nga pesë anëtarë, ka konsumuar më parë mbi 85 megavat orë energji në vit, ndërsa pas investimeve pritet që konsumi të ulet në rreth 22 megavat orë.
“Kjo familje ka konsumuar mbi 85 megavat orë në vit dhe tash do të ketë një rënie të konsumit, plus kushte më të mira brenda, që do të thotë e ngrohtë gjatë dimrit dhe e freskët gjatë verës, me një zbritje të shpenzimit të energjisë prej rreth 74 për qind”, tha Kurti.
Sipas tij, familja do të ketë kushte më të mira dhe më të dinjitetshme për jetesë pas investimeve në termoizolimin e fasadës dhe çatisë.
Projekti është realizuar përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe UNDP-së, me financim të Qeverisë së Danimarkës.
Kurti falënderoi Qeverinë e Danimarkës për financimin dhe mbështetjen, UNDP-në për partneritetin, si dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për angazhimin në realizimin e projektit.
Ai uroi familjen Dragidela dhe familjet e tjera përfituese, duke thënë se këto investime do t’u mundësojnë më shumë rehati, siguri dhe shpenzime më të ulëta për energji..jpg)

