Ushtria amerikane sulmoi pesë anije cisterna iraniane nafte, duke fundosur njërën prej tyre, pasi Irani u përpoq të godiste një anije luftarake amerikane me raketa balistike, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me një sulm me raketa ndaj Jordanisë.Katër tankerë u goditën në Gjirin e Omanit dhe një e pestë pranë ishullit Kharg në Gjirin Persik, një qendër kyçe për eksportet e naftës iraniane, raporton CNN .
CENTCOM publikoi pamje të njërës prej anijeve të prekura, cisternës M/T Riesco, duke u djegur dhe duke u fundosur në Gjirin e Omanit. Ushtria amerikane pretendon se u urdhëroi ekuipazheve të braktisnin anijet para sulmit.
“Asnjë anëtar i shërbimit amerikan nuk u lëndua”, tha CENTCOM.
Pas sulmeve amerikane, Irani qëlloi raketa balistike drejt Jordanisë, duke pretenduar se objektivi ishte Baza Ajrore Muwaffaq Salti, e cila përdoret nga forcat amerikane.
Ushtria e Jordanisë tha se mbrojtja e saj ajrore iu përgjigj 20 raketave balistike. Tetëmbëdhjetë prej tyre u rrëzuan, ndërsa dy ranë në zona të pabanuara. Sipas informacionit të disponueshëm aktualisht, nuk pati viktima në sulm.
Në të njëjtën kohë, Irani kërcënoi të sulmonte cisterna nafte pranë porteve në Kuvajt dhe Bahrein, vende ku janë të vendosura forcat amerikane.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së,
Marco Rubio, paralajmëroi gjatë një vizite në Kolumbi se Uashingtoni do t’i përgjigjej çdo përpjekjeje të re për të sulmuar anijet luftarake amerikane.
“Irani vazhdon të përpiqet të sulmojë anijet luftarake amerikane dhe çdo herë që e bën ose përpiqet ta bëjë, do të humbasë anije cisterna”, u tha Rubio gazetarëve në Barranquilla.

