Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka kritikuar zhvillimet në seancën konstituive të Kuvendit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe se po zvarrisin formimin e institucioneve.
Pas seancës së mërkurës, Gjini tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, po i shërbejnë agjendës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe po shtyjnë afatet për formimin e institucioneve.
“Kushedi për të satën herë, me apo pa koordinim, Lista Srpska ndihmon që Albin Kurti të zhvillojë agjendën e vet ashtu siç i konvenon”, deklaroi Gjini.
Ai u bëri thirrje PDK-së dhe LDK-së që të mos bëhen pjesë e këtij procesi, ndërsa tha se Aleanca synon që vendi të arrijë deri më 13 shtator, në mënyrë që zgjedhjet e reja të mund të mbahen më 27 dhjetor.
Gjini kritikoi edhe gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke pretenduar se qeverisja aktuale ka humbur besimin e qytetarëve. Ai përmendi koston e jetesës, faturat e energjisë elektrike, si dhe problemet në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim.
“Qytetarët e Kosovës që jetojnë në Kosovë e kanë parë me çfarë lloj regjimi jetojnë në Kosovë”, tha ai.
Sa i përket vazhdimit të seancës të premten, Gjini konfirmoi se deputetët e Aleancës nuk do të marrin pjesë, duke e cilësuar atë si të jashtëligjshme dhe jashtëkushtetuese.
“Është e jashtëligjshme, është jashtëkushtetuese, është farsë e pastër. Nuk ka për qëllim me i ndërtuar institucionet”, u shpreh Gjini.
Ai tha se Aleancës nuk i mbetet rrugë tjetër përveç referimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe paralajmëroi koordinim me dy partitë e tjera opozitare.
“Patjetër që nuk na mbetet për momentin, nuk kemi rrugë tjetër përpos se me iu referuar Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Gjini.

