Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka shprehur mbështetjen për marshin, që do të mbahet të shtunën në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Krasniqi ka thënë se lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ishte një përpjekje e drejtë dhe historike.
Ai ka theksuar edhe kontributin e komunitetit egjiptian në luftën e UÇK-së, duke e cilësuar atë si pjesë të historisë dhe sakrificës së përbashkët për lirinë e Kosovës.
Krasniqi ka vlerësuar se procesi në Hagë është i padrejtë dhe ka shprehur bindjen se ish-krerët e UÇK-së do të dalin të pafajshëm, duke theksuar se në fund do të triumfojnë e vërteta dhe drejtësia.

