Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e Kombëtares së Kosovës përderisa Federatën e Futbollit të Kosovës e udhëheqin drejtuesit aktualë.
Rrahmani, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se vendimi vjen pas dhjetë vitesh me Kombëtaren, prej të cilave shtatë i ka kaluar si kapiten.
Ai ka thënë se ndër vite ka pasur kundërshtime të vazhdueshme dhe mungesë të njerëzve kompetentë për të adresuar problemet dhe ankesat e futbollistëve.
“Pas dhjetë viteve në Kombëtare, nga të cilat shtatë vite si kapiten, ju njoftoj se nuk do të jem më pjesë e Kombëtares së Kosovës përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktualë”, ka shkruar Rrahmani.
Kapiteni i Kosovës ka deklaruar se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme, sipas tij, situata nuk ka ndryshuar për shumë vite.
“Dhe çka mora në këmbim? Sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara për më shumë se dy vite nga ata të cilët do të duhej të na mbronin”, ka thënë ai.
Rrahmani ka shtuar se drejtësia, sipas tij, do ta vërtetojë një ditë atë që ka ndodhur.
“Kjo vendim vjen nga nevoja për të ruajtur integritetin tim si kapiten dhe futbollist profesionist, por mbi të gjitha vlerat e mia si njeri”, ka shkruar Rrahmani.
Ai e ka përmbyllur mesazhin e tij duke iu drejtuar tifozëve të Kosovës me fjalët: “I juaji, Amir Rrahmani”.

