Sheshi te “Rrapi i Pilurit” ka mbledhur sonte dhjetëra artistë dhe qindra adhurues e turistë, të cilët kanë ardhur për të ndjekur edicionin e shtatë të Festivalit të njohur të Pilurit.
Aty ku janë krijuar dhjetëra këngë të bukura e të fuqishme, ku kanë lindur dhe janë bërë të njohur këngëtarë e këngëtare të shquar të Grupit të Pilurit, festa e këngës vjen sërish në vendlindjen e “Princit të Polifonisë Shqiptare”, Lefter Çipës.
Këtë edicion, nën organizimin e Ansamblit “Bejkë e Bardhë”, me në krye Mjeshtrin e Madh dhe poetin e njohur Kristo Çipa, në Pilur janë mbledhur grupe dhe solistë të njohur nga trevat e këngës vëndçe shqiptare, të cilët sjellin këngë të reja dhe perlat e traditës sonë.
Sheshi i “Rrapit” i pret mysafirët dhe artistët me gjithë bukurinë e traditës, me kostumet kombëtare, këngën, polifoninë dhe ato ngjyra të rralla që e bëjnë Pilurin një prej vatrave më të çmuara të kulturës shqiptare.
Një natë ku kënga, tradita dhe dashuria për vendin bashkohen nën hijen e Rrapit të Pilurit.











