Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë nën dyshimin për mashtrim ndaj Valmir Hajrullahut dhe Avdyl Kryeziut, të cilët, bashkë me një shtetas turk, Yilmaz Tassoker, për dy vjet rresht akuzohen se e mashtruan një zyrtar policor, duke ia marrë mbi 134 mijë euro, kinse atij do t’i transplantohej një veshkë në një spital të Turqisë. RTK ka raportuar edhe më herët për këtë skemë të dyshuar mashtrimi.
Valmir Hajrullahu nga Banulla e Lipjanit dhe Avdyl Kryeziu nga Malisheva do të ulen në bankën e të akuzuarve nën dyshimin për veprën penale të mashtrimit, derisa lënda është veçuar për shtetasin turk Yilmaz Tassoker.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, të siguruar nga RTK, Valmir Hajrullahu, bashkë me Kryeziun, nga viti 2021 deri më 2023 kishin filluar mashtrimin kundrejt zyrtarit policor A.B.
“Me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, në vazhdimësi e mashtron dhe vazhdon ta mbajë në lajthim të dëmtuarin A.B., që rezulton në dëm material të pasurisë, dhe atë në shumën prej 134.761,00 euro”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga RTK.
Hajrullahu, sipas aktakuzës, paraqitet si doktor në specializim në spitalin “Acibadem” në Turqi, duke i premtuar viktimës se do të bisedojë me një doktor që t’i kryhet transplantimi. Ndërkaq, të pandehurin tjetër, Yilmaz Tassoker, ndaj të cilit është veçuar procedura, e prezanton si dhurues të veshkës.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, përmes emailit ka thënë se prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.
Hajrullahu është i njohur për organet e rendit dhe ato të drejtësisë. Së fundmi, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar atë me dy vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për një rast mashtrimi.
I njëjti ka edhe një aktakuzë tjetër që po trajtohet në Departamentin për Krime të Rënda, ku akuzohet për mashtrim të bujqve përmes organizatës joqeveritare Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD), e ku dëmi që u është shkaktuar fermerëve konsiderohet të jetë miliona eurosh.

