Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra, pasi një furgon është vërejtur duke hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në Kosovë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, rasti ka ndodhur më 11 shtator 2026, rreth orës 22:00, ndërsa automjeti është ndaluar në magjistralen Preshevë–Gjilan.
Gjatë kontrollit të furgonit, i cili drejtohej nga një person shtetas i Serbisë dhe i Kosovës, është konstatuar se brenda tij kishte disa pako të mbushura me speca të freskët.
Dogana ka bërë të ditur se drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumentacion që dëshmonte prejardhjen e mallit.
Automjeti dhe malli janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejshme ligjore.
Sipas Doganës, vlera e mallit në treg është rreth 2 mijë euro, pa përfshirë detyrimet doganore.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e kufirit doganor dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera të Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftim.

