Saturday, September 12, 2026
HomeLajmeKosovëQytetarët e Gjakovës drejt Prishtinës për “Marshin për Liri”

Qytetarët e Gjakovës drejt Prishtinës për “Marshin për Liri”

Qindra qytetarë nga Gjakova dhe rrethina e saj janë nisur sot drejt Prishtinës, për t’iu bashkuar “Marshit për Liri”, në mbështetje të ish-luftëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Me makina private dhe autobusë, qytetarët shprehen të bindur në pafajësinë e tyre dhe presin që vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale, që pritet të shpallet më 16 shtator, të jetë në favor të të akuzuarve.

Shumica prej tyre janë nisur drejt Prishtinës me makina private, ndërsa shumë të tjerë, në orën 11:00, kanë udhëtuar me autobusë.

Pak çaste para nisjes, ata janë shprehur të bindur në pafajësinë e, siç u shprehën, çlirimtarëve të Kosovës. Sipas tyre, kjo do të vërtetohet më 16 shtator, kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Jemi mbledhur në Gjakovë, ai që e do lirinë e Kosovës, me shku me i përkrahë ata djem që e kanë qitë jetën e vet në shërbim të vendit e të lirisë”, tha Miftar Shabanaj.

“Krejt rrethina e Gjakovës jemi mbledhë sot me autobusë, por shumica janë nisur edhe me makina për këtë marsh. E kërkojmë lirimin e katër gjeneralëve, të cilët i kanë mbajtur në Hagë qe sa vite, pa pikë faji. Edhe ata në Hagë janë jo për mbrojtjen e vetvetes, por për mbrojtjen e UÇK-së dhe vlerave të UÇK-së. Njëherë e përgjithmonë, populli shqiptar e dinë se ata nuk e kanë mbrojtur vetveten, por i kanë mbrojtur vlerat e UÇK-së dhe luftën e UÇK-së. Besoj 100 për qind se janë të pafajshëm dhe kanë me u lirue më datën 16 shtator. Atë e pres si gëzimin më të madh, që më datën 17 t’i pres në aeroportin e Prishtinës”, tha Zenel Krasniqi.

Hysni Curri tha se edhe sot populli i Kosovës po e dëshmon që është pranë luftëtarëve të vet, pranë çlirimtarëve të vet.

“Edhe me këtë marsh po e bëjmë me dije botën se ata janë çlirimtarë, ndërsa në vend që në bankat e zeza të jetë agresori, për fat të keq janë çlirimtarët. Kështu që na detyruan edhe sot të marshojmë për drejtësi, të marshojmë për lirimin e çlirimtarëve”, tha ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram