Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar lidhur me situatën rreth konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një skenar të kalkuluar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Reagimi i Gjinit vjen pas njoftimit të LVV-së se ka ndryshuar qëndrim dhe se do t’i votojë nënkryetarët e subjekteve të tjera.
Gjini ka deklaruar se, sipas tij, qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë që të arrihet data 27 dhjetor, duke nisur nga sot afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe më pas afati deri në 45 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Ju kemi thënë, po e ndjekin datën 27 dhjetor. Prej sot, 60 ditë afat për zgjedhje të presidentit, plus deri në 45 ditë zgjedhjet. Tash e ka 27 dhjetorin që e ka kërkuar”, ka thënë Gjini.
Ai ka thënë se, sipas tij, problemi nuk ka qenë me emrat e propozuar për nënkryetarë, duke përmendur Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, por me arritjen e afatit të sotëm.
“Nuk kanë pasur problem as me Vlora Çitakun, as me Kujtim Shalën, as me ‘popullin serb’. Problemi ka qenë me e mbërri datën e sotme. Afatin”, është shprehur ai.
Gjini ka thënë se Aleanca nuk i frikësohet zgjedhjeve dhe ka bërë thirrje që ato të mbahen nëse ky është vullneti politik.
“Nëse doni, shkojmë në zgjedhje! Mos u frikësoni prej zgjedhjeve!”, ka përfunduar Gjini.

