Aktorja hollivudiane Sandra Bullock foli hapur për fillimet e saj në industrinë e filmit, duke kujtuar përvoja të pakëndshme nga audicionet, por edhe vendime kyçe që ndryshuan rrjedhën e karrierës së saj.
Ajo e filloi karrierën e saj si aktore në fund të viteve 1980 dhe fitoi popullaritet të madh në vitin 1994 me rolin e saj në filmin hit aksion “Speed”. Në një intervistë me kolegen e saj Jennifer Aniston për revistën Interview, Bullock kujtoi jetën e saj të hershme në New York, kur punonte si kamariere dhe merrte pjesë në audicione të shumta.
“Punoja në Nju Jork si kamariere dhe shkoja në audicione me lloj-lloj perversësh që më kërkonin të hiqja pantallonat. Përgjigja ime ishte: ‘Jo, ky nuk është roli për mua'”, tha aktorja, duke shtuar se shumica e aktorëve fillimisht pranojnë çdo punë nga frika se nuk do të kenë më kurrë një shans tjetër.
Pasi u bë e famshme për rolet e saj në komeditë romantike si “While You Were Sleeping”, “Miss Congeniality” dhe “Two Weeks Notice”, ajo vendosi të bënte një ndryshim. Për shkak të presionit dhe kritikave ndaj zhanrit që e bëri të famshme, ajo bëri një pushim dyvjeçar dhe iu drejtua roleve më serioze dramatike.
“Është shumë e rrezikshme të thuash, ‘Do të largohem nga ajo që ndihem si zona ime e rehatisë, që është komedia, dhe do të shoh nëse do të më marrin seriozisht në botën dramatike'”, i tha Aniston. “Industria ka tendencë t’i përçmojë komeditë, por ato nuk janë aq të lehta sa duken.”
Për të cilën Bullock u përgjigj: “Më mungon më shumë se kurrë tani. Nuk dua të bëj asgjë tjetër përveç kësaj tani.”
Pika e kthesës në karrierën e saj ishte filmi i vitit 2004 “Crash”, i cili vërtetoi gamën e saj të aktrimit përtej komedive.
Aktorja u rikthye së fundmi në ekranin e madh me një rol në filmin “Practical Magic 2”, projekti i saj i parë pas një pauze katërvjeçare dhe filmin e vitit 2022 “Bullet Train”.

