Sunday, September 13, 2026
HomeLajmeKosovëZemaj: Nuk bëhemi pjesë e asnjë shkeljeje kushtetuese

Zemaj: Nuk bëhemi pjesë e asnjë shkeljeje kushtetuese

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se nuk mund të ketë tejkalim të zgjedhjes së nënkryetarëve, për të ndodhur konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se ndërrimi i qëndrimeve të VV-së për votimin e nënkryetarëve të LDK-së dhe PDK-së është lojë politike.

Para nisjes së seancës së sotme, Zemaj ka thënë se LDK-ja nuk bëhet pjesë e proceseve ku ka shkelje.

“Këta qëndrimet i kanë ndërruar gjithmonë. I përdorin për propagandë dhe për t’i vënë në kurth subjektet e tjera politike. E kanë vetëm për populizëm dhe vetëm kalkulojnë në vota ose në interesat e tyre të ngushta”, deklaroi Zemaj.

Ai tha se kjo, sipas tij, po dëmton institucionet e Kosovës, duke theksuar se Kushtetuta dhe afatet janë të qarta.

“Po të ishte ky vullnet, qëndrimet janë të qarta, Kushtetuta është e qartë, afatet janë të qarta, Kuvendi do të ishte konstituar dhe ne do të vazhdonim me zgjedhjen e Qeverisë edhe të presidentit të vendit”, tha ai.

I pyetur për qëndrimin e LDK-së lidhur me pjesëmarrjen në votimin e nënkryetarëve, Zemaj sqaroi se çështja, sipas tij, nuk lidhet vetëm me faktin se nuk është zgjedhur ende nënkryetari nga radhët e PDK-së.

“Interpretimi i LDK-së është që ne duhet të kemi Kuvend kushtetues, domethënë konstituim kushtetues. Pa u zgjedhur nënkryetarët, nuk ka konstituim të Kuvendit”, u shpreh Zemaj.

Ai kundërshtoi ndryshimin e mënyrës së votimit dhe tha se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asaj që e konsideron shkelje kushtetuese.

“Ne nuk hyjmë në asnjë variant ku ka shkelje kushtetuese dhe bëhemi pjesë e saj. Tash këtë situatë e ka sjellë Lëvizja Vetëvendosje. Ata duhet ta marrin përgjegjësinë dhe duhet t’i japin përgjigjet pse kanë ardhur dhe pse po e çojnë Kuvendin deri në këtë gjendje”, deklaroi ai.

Sa i përket mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, Zemaj tha se veprimet e Vetëvendosjes, sipas tij, po orientohen më shumë nga kalkulimet zgjedhore sesa nga krijimi i stabilitetit institucional.

“Këta çdo veprim, fatkeqësisht, e mendojnë për zgjedhje. Nuk e mendojnë për shtetin, por mendojnë për zgjedhjet dhe vetëm për interesin e tyre politik”, tha Zemaj.

Sipas tij, partitë politike duhet të jenë në gjendje të marrin edhe vendime që nuk u përshtaten politikisht, nëse ato janë në interes të vendit.

“Ndonjëherë ka edhe vendime të cilat nuk mund të të pëlqejnë, nuk i përshtaten një subjekti dhe nuk të përshtaten as ty personalisht, por janë në interes të Kosovës. I tejkalojnë pritshmëritë partiake dhe interesat politike”, përfundoi Zemaj.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram