Tuesday, September 15, 2026
HomeLajmeKosovëMbrojtja e Thaçit: Kundërshtojmë transkriptet në tërësi

Mbrojtja e Thaçit: Kundërshtojmë transkriptet në tërësi

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kundërshtuar përdorimin e transkripteve nga Prokuroria në rastin që lidhet me administrimin e drejtësisë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Avokatja Sophie Menegon tha se arsyeja pse kanë kundërshtuar transkriptet në tërësi dhe jo pjesë të caktuara është për shkak se Prokuroria nuk e ka përmbushur barrën e provës.

“ZPS-ja nuk e ka përmbushur barrën e provës dhe privilegjin e kundër vetëinkriminimit. Ne kundërshtojmë transkriptet në tërësinë e tyre dhe nuk kundërshtojmë fjali të caktuara të transkripteve. Nuk pritet që tani mbrojtja të ketë barrën e provës ose që të akuzuarit të kenë barrën e provës për të vërtetuar pasaktësinë”, tha Menegon.

Ajo tutje argumentoi se një vendim fajësie ndaj Thaçit nuk mund të mbështetet vetëm në këto transkripte.

“Shpallja fajtor në këtë çështje nuk mund të bazohet në shkallë të gjerë vetëm në transkriptet e ZPS-së. Personat që i kanë bërë këto transkripte janë të panjohur dhe mbrojtja nuk e ka pasur mundësinë që t’i marrë në pyetje ata”, u shpreh avokatja.

Mbrojtja e Thaçit ka kërkuar lirimin e tij, derisa kanë thënë se vendimi duhet të bazohet në prova, e jo në spekulime.

Mbrojtja e Smakajt kundërshtoi përdorimin e dëshmive anonime si prova

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e të akuzuarve në rastin për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë ka kundërshtuar provat e paraqitura nga Prokuroria e Specializuar.

Avokati Jonathan Elystan Rees, i cili përfaqëson Bashkim Smakajn, kundërshtoi përdorimin e dëshmive anonime si prova në këtë rast.

Ai tha se dëshmive të tilla duhet t’u jepet peshë e zvogëluar dhe se ato nuk duhet të ndikojnë në vendimin për fajësinë e të akuzuarve.

“Dëshmitë anonime kanë peshë të zvogëluar dhe kjo buron nga kërkesa që nuk duhet të merret një vendim vendimtar fajësie mbi provat e kësaj natyre”, tha Rees.

Sipas tij, dokumentet dhe materialet anonime të paraqitura në këtë fazë të procesit nuk mund të konsiderohen prova me vlerë të plotë provuese.

Rees theksoi se mbrojtja kundërshton edhe materiale të tjera të paraqitura nga Prokuroria, përfshirë transkriptet dhe përshkrimet e materialeve të incizuara.

Në Hagë nisin deklaratat përmbyllëse në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur sot seanca e deklaratave përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Në fillim të seancës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar  në Hagë ka dashur të argumentoi se kriteri për “veprimin e përbashkët” nuk është i njëjtë me atë të bashkëkryerjes së një vepre penale.

Gjatë deklaratave përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, prokurori, Matt Halling, tha se veprimi i përbashkët mund të përfshijë çdo aktivitet të ndërmarrë së bashku nga anëtarët e një grupi dhe, në parim, çdo lloj aktiviteti kriminal kolektiv që ka për synim pengimin.

Sipas Halling, kjo përcaktohet në paragrafin 162 të aktgjykimit të 7 qershorit dhe në paragrafin 52 të vendimit të konfirmimit në këtë çështje.

“Ky kriter nuk është i njëjtë për bashkëkryerjen”, deklaroi prokuroria, duke iu referuar nenit 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Prokurori Matt Halling tha se standardi i pjesëmarrjes është i njëjtë edhe për formën e tentativës, ndërsa ndryshimi qëndron te pasoja në elementin e dytë.

“Veprimi i përbashkët i grupit nuk ka nevojë të të pengojë diçka”, tha prokuroria.

Sipas saj, për secilin prej të akuzuarve shtrohet pyetja nëse, me synim të drejtpërdrejtë apo eventual, ka marrë pjesë, ka kontribuar apo ka bërë të mundur veprimin e përbashkët, i cili kishte mundësinë të pengonte.

prokuroria kërkon që të shikohen transkriptet me kujdes për t’u parë qëllimi i vërtetë i Thaçit.

Kurse prokurori Joshua Hafetz, theksoi detaje nga vizitat e datave 9 shtator dhe 7 tetor 2023, ku në prani të të akzuarit Smakaj, sipas tij, Thaçi ka dhënë udhëzime të hollësishme mbi atë çfarë dëshmitari duhej apo nuk duhej të thoshte para trupit gjykues, posaçërisht në lidhje me Shtabin e Përgjithshëm.Prokuroria e Specializuar ka kërkuar dënim me gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet burgim për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, ndërsa për Hajredin Kuçin ka kërkuar nëntë muaj burgim.

Ndërkaq, ekipet e Mbrojtjes i kanë kundërshtuar kërkesat e Prokurorisë dhe kanë kërkuar që Gjykatësi i Vetëm t’i shpallë të gjithë të akuzuarit të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Deklaratat përmbyllëse shënojnë fazën e fundit të paraqitjes së argumenteve nga palët, para se Gjykatësi i Vetëm të marrë vendimin për rastin.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram