Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur sot seanca e deklaratave përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në filli të seancës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka dashur të argumentoi se kriteri për “veprimin e përbashkët” nuk është i njëjtë me atë të bashkëkryerjes së një vepre penale.
Gjatë deklaratave përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, prokurori, Matt Halling, tha se veprimi i përbashkët mund të përfshijë çdo aktivitet të ndërmarrë së bashku nga anëtarët e një grupi dhe, në parim, çdo lloj aktiviteti kriminal kolektiv që ka për synim pengimin.
Sipas Halling, kjo përcaktohet në paragrafin 162 të aktgjykimit të 7 qershorit dhe në paragrafin 52 të vendimit të konfirmimit në këtë çështje.
“Ky kriter nuk është i njëjtë për bashkëkryerjen”, deklaroi prokuroria, duke iu referuar nenit 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Prokurori Matt Halling tha se standardi i pjesëmarrjes është i njëjtë edhe për formën e tentativës, ndërsa ndryshimi qëndron te pasoja në elementin e dytë.
“Veprimi i përbashkët i grupit nuk ka nevojë të të pengojë diçka”, tha prokuroria.
Sipas saj, për secilin prej të akuzuarve shtrohet pyetja nëse, me synim të drejtpërdrejtë apo eventual, ka marrë pjesë, ka kontribuar apo ka bërë të mundur veprimin e përbashkët, i cili kishte mundësinë të pengonte.

