Tuesday, September 15, 2026
HomeLajmeKosovëLawton: SHBA-të të përkushtuara për integritetin territorial të Kosovës

Lawton: SHBA-të të përkushtuara për integritetin territorial të Kosovës

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Daniel Lawton, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj integritetit territorial dhe interesave të Kosovës.

Gjatë dëshmisë së tij para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Lawton tha se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbetet një prej prioriteteve të politikës amerikane në rajon.

“SHBA-të kërkojnë një Ballkan Perëndimor me paqe dhe me prosperitet. Ne po ndjekim marrëdhëniet pozitive me aktorët në rajon për të ruajtur stabilitetin, për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe për të kundërshtuar dhe luftuar kërcënimet për SHBA-të”, tha ai.

Lawton tha se SHBA-të mbeten të zotuara në sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të Kosovës.

“SHBA mbetet e përkushtuar për integritetin territorial dhe interesat e Kosovës. Fatkeqësisht kjo agjendë është dëmtuar nga zgjedhjet e përsëritura dhe formimi i institucioneve, kështu që ne i bëjmë thirrje liderëve kosovarë që ta përfundojnë këtë proces në pajtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Dhe KFOR-i mbetet aty për të ruajtur mjedisin e sigurt në Kosovë, të mbështetur nga kontributet e SHBA-ve”, tha Lawton.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zyrtari amerikan tha se ruajtja e paqes ndërmjet dy vendeve është thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se progresi i konsiderueshëm i arritur nga marrëveshja e vitit 2020 me presidentit Trump ndërmjet Kosovës e Serbisë ka stagnuar për shkak të mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët.

“U bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që t’i shmangin provokimet dhe që t’i hyjnë diskutimeve pa parakushte”, tha Lawton.

Ai shtoi se SHBA-ja po punon ngushtë me aleatët e NATO-s në rajon, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, në kuadër të objektivave të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Në adresimin e tij, Lawton tha se politika amerikane në Ballkanin Perëndimor mbështetet në tri shtylla: ruajtjen e stabilitetit, avancimin e interesave ekonomike dhe bashkëpunimin në luftën kundër organizatave kriminale dhe kërcënimeve të sigurisë.

Sipas tij, SHBA-ja synon një Ballkan Perëndimor paqësor dhe me prosperitet, duke kërkuar njëkohësisht që vendet e rajonit të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram