Ndarja nga jeta e Flora Brovinës ka sjellë dhimbje të thellë në mesin e njerëzve të letrave, kulturës dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan figurën e saj.
Menjëherë pas lajmit të trishtë, kreu i UGSh-së, Aleksandër Çipa, ka përcjellë një mesazh prekës për mikeshën e tij, duke e cilësuar Florën si një grua që mishëroi historinë, qëndresën dhe dashurinë për atdheun.
“Lamtumirë, mikja ime që vlen sa historia! Nuk do të të harroj kurrë!!!!!”, shkruan Çipa.
Në mesazhin e tij të ndjerë, ai e përshkruan Flora Brovinën si një “Zonjë të Atdheut”, duke vlerësuar heroizmin, madhështinë njerëzore, qëndresën dhe shpirtin e saj krijues.
“Tek ju, Zonjë e Atdheut, ishin të gjitha: heroizmi, madhështia njerëzore, qëndresa titanike, shpirti i pasur me gjithë pasuritë e të mirave njerëzore, talenti për shkrimtari dhe, mbi gjithçka, jeta jote ishte prova e dhënë maksimalisht për kombin”, shkruan ai.
Në fund të mesazhit, Çipa i përkulet me respekt figurës së saj:
“Të përulem, fisnikja jonë, Flora Brovina!
U prehsh në paqe, o shpirt me dritë në univers!!!!”
Një lamtumirë e dhimbshme për një figurë që, për ata që e njohën, do të mbetet e gjallë përmes kujtimeve, veprës dhe fjalës së saj.

