Në debatin kushtuar glorifikimit të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq në Serbi, zyrtarët evropianë shprehën sërish shqetësimin për pamjet që dolën nga Beogradi në ditën e varrimit të të dënuarit ndërkombëtarisht për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Komisarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i rikujtoi Serbisë se, duke aplikuar për anëtarësim në BE, shteti është zotuar të respektojë standardet, parimet dhe vlerat evropiane.
“Komisioni Evropian ka qenë i qartë se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi janë thelbësisht të papajtueshme me këto vlera. Këto nuk kanë vend në BE dhe nuk kanë vend në vendet kandidate për anëtarësim në BE”, tha Marta Kos.
Ajo e cilësoi veçanërisht shqetësuese pjesëmarrjen e ministrave serbë, të cilët nderuan publikisht një kriminel lufte.
“Është e pakuptueshme që dikush përgjegjës për krime të tilla të nderohet si hero. Pamjet nga varrimi i Ratko Mlladiqit ishin thellësisht shqetësuese. Ato tregojnë dështimin për t’u përballur me të kaluarën dhe bien ndesh me vlerat që qëndrojnë në themel të integrimit evropian”, shtoi ajo.
Eurodeputetët që morën fjalën gjatë debatit kërkuan nga Bashkimi Evropian ndryshimin e qasjes ndaj Serbisë. Shumë prej tyre kërkuan edhe ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit.
Megjithatë, Marta Kos theksoi se pamjet nga varrimi nuk e përfaqësojnë të gjithë shoqërinë serbe. Ajo shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar Serbinë në rrugëtimin e saj evropian, por porositi se nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për respektimin e vlerave evropiane.

