Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj lëshoi sot në qarkullim emisionin e pullave postare “Dëshmorët e Kombit – Tahir Sinani, Indrit Cara dhe Bylbyl Breçani”, kushtuar tre dëshmorëve të kombit, të cilët me guximin, përkushtimin dhe sakrificën e tyre dhanë një kontribut të çmuar në luftën për lirinë e Kosovës.
Tahir Sinani, i lindur në Tropojë më 1964, me përvojë ushtarake nga Shqipëria, ishte një ndër komandantët më të shquar të UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut, ndërsa pas luftës në Kosovë shërbeu në TMK. Ai mori pjesë edhe në luftimet në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, ku ra dëshmor më 29 korrik 2001 në afërsi të Gostivarit.
Indrit Cara, i lindur në Kavajë më 1971, me përgatitje ushtarake nga Shqipëria, iu bashkua luftës çlirimtare në Kosovë, derisa ra heroikisht më 31 mars 1999 në zonën e Pashtrikut.
Bylbyl Breçani, i lindur në Tropojë më 1974, iu bashkua luftës çlirimtare në zonën e Koshares, i cili gjatë një aksioni për tërheqjen e trupave të bashkëluftëtarëve të rënë, bie dëshmor më 25 qershor 1999 në zonën e Koshares.
“Pulla postare është një dëshmi e historisë, kulturës dhe identitetit të një vendi. Përmes këtij emisioni filatelik, kujtimi për Tahir Sinanin, Indrit Carën dhe Bylbyl Breçanin përfshihet në trashëgiminë filatelike, duke përcjellë te brezat e sotëm dhe të ardhshëm vlerat e guximit, sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut”, thuhet në njoftim.
Ky emision përfshin tri pulla postare dhe Zarfin e Ditës së Parë. Posta e Kosovës ka ftuar qytetarët, koleksionuesit dhe bizneset që ta pasurojnë fondin e tyre filatelik me këtë emision të veçantë, duke kontribuar në ruajtjen dhe përcjelljen e kujtesës historike dhe vlerave kombëtare.

