Mbi 50 biznese po marrin pjesë në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2026”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ku po prezantohen produkte dhe shërbime dhe po synohen partneritete të reja me kompani vendore e ndërkombëtare.
Në hapjen e panairit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se ngjarje të tilla krijojnë mundësi konkrete për lidhjen e prodhuesve kosovarë me tregjet e huaja.
“Ky panair na mundëson që të shohim se pas çdo produkti ka një investim shumë të madh, ka inovacion, por edhe dëshirë për të arritur më shumë”, deklaroi Rafuna.
Sipas tij, panairi synon të krijojë ura mes bizneseve, konsumatorëve dhe tregjeve, veçanërisht me vendet evropiane.
“Ekonomia jonë po rritet dhe një shtet i fortë është vetëm kur e ka një ekonomi të fortë”, tha ai, duke u bërë thirrje bizneseve që gjatë panairit të kërkojnë partnerë, kontrata dhe tregje të reja.
Në aktivitet mori pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila në fjalën e saj iu referua edhe zhvillimeve të një dite më parë në Hagë, duke thënë se situata e krijuar e bën më të rëndësishëm unitetin institucional dhe forcimin e shtetit përmes zhvillimit ekonomik.
“Ku janë ndërmarrësit, ku janë produktet, ku krijohet puna, janë edhe themelet e një shteti të fortë”, tha Kusari-Lila.
Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2026, ministria ka mbështetur pjesëmarrjen e më shumë se 74 kompanive kosovare në nëntë panaire ndërkombëtare, ku janë promovuar mbi 1,200 produkte “Made in Kosova”.
Kusari-Lila tha gjithashtu se janë hapur nëntë skema mbështetëse me buxhet prej 9.4 milionë eurosh, nga të cilat kanë përfituar rreth 230 biznese. Fushat e mbështetjes, sipas saj, përfshijnë investimet në makineri, inovacion, digjitalizim, energji të pastër, certifikim të produkteve dhe industri kreative.
Ajo theksoi edhe rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik me vendet evropiane, duke përmendur marrëveshjen e EFTA-s, e cila sipas saj hyn në fuqi më 1 tetor.
“Prandaj më shumë mundësi për bizneset tona për eksport në vendet si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni”, tha Kusari-Lila.
Në panair u theksua edhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve kanë potencial për t’u zgjeruar përtej shkëmbimit të mallrave.
“Duhet të synojmë që këto shkëmbime të mos mbeten vetëm në nivelin e shkëmbimit të mallrave, por të kalojnë gjithnjë e më shumë drejt investimeve të përbashkëta, partneriteteve ndërmjet kompanive dhe zinxhirëve të përbashkët të prodhimit”, deklaroi Malaj.
Në “Prishtina 2026” po prezantohet edhe puna e Komunës së Prishtinës në mbështetje të bujqësisë dhe prodhuesve vendorë.
Drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, tha se pjesëmarrja në panair është mundësi për fermerët që të promovojnë produktet e tyre dhe të krijojnë kontakte të reja.
“E shoh këtë panair si një mundësi të rëndësishme për promovimin e prodhimeve vendore, krijimin e partneriteteve të reja dhe hapjen e mundësive të reja për fermerët tanë”, tha ajo.
Panairi “Prishtina 2026” synon të shërbejë si platformë për promovimin e prodhimit vendor, krijimin e kontakteve të reja biznesore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me tregjet rajonale dhe evropiane.

