Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se vendimi i djeshëm i Dhomave të Specializuara në Hagë është i padrejtë dhe i pabazuar në fakte, duke vlerësuar se ai mund të ketë pasoja edhe për Kosovën. Pas takimit të PDK-së, Hamza tha se në parti ekziston një qëndrim i përbashkët se vendimi e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
“Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, i pabazuar në fakte. Është vendim që e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, tha Hamza.
Ai tha se procesi në Hagë ka devijuar nga baza fillestare për të cilën ishte krijuar kjo gjykatë.“Baza për krijimin e kësaj gjykate ka qenë raporti i Dick Martyt, akuzat e tmerrshme brenda raportit të Dick Martyt, dhe çështja ka devijuar komplet në diçka tjetër dhe kryesisht e pabazuar në fakte dhe në prova konkrete”, deklaroi ai.
Hamza bëri të ditur se PDK-ja do të kërkojë bashkëpunim me subjektet e tjera politike, me synimin për të krijuar një konsensus lidhur me hapat e ardhshëm. “Do të takohemi me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon një subjekti politik”, tha ai.
Kryetari i PDK-së theksoi se ish-krerët e UÇK-së që janë dënuar në shkallën e parë nuk duhet të trajtohen si përfaqësues të ndonjë partie politike.
“Ata të dënuar, që ende janë të pafajshëm sepse ka edhe shkallë të tjera të gjykatave, nuk kanë shkuar atje si anëtarë të ndonjë subjekti politik, por si ish-ushtarë dhe ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Hamza.
Ai paralajmëroi se PDK-ja do të dalë me veprime konkrete, përfshirë iniciativa ligjore dhe veprime demokratike.
“Ligjore do të thotë edhe përmes iniciativave ligjore. Demokratike, ne e njohim të drejtën e njerëzve për të protestuar, e njohim të drejtën e njerëzve për të shfaqur mospajtimin me një vendim apo qëndrim të caktuar. Megjithatë, për hir të vendit dhe seriozitetit të situatës, kërkojmë që gjithçka të jetë brenda rregullave demokratike”, tha ai.
Hamza kërkoi që çdo veprim të jetë i kujdesshëm dhe të mos dëmtojë institucionet apo qytetarët e Kosovës. I pyetur nëse PDK-ja do ta mbështeste një iniciativë për zhbërjen e Gjykatës Speciale, Hamza tha se për një nismë të tillë në Kuvend do të nevojitej edhe mbështetja e subjekteve të tjera politike.
“Ne do të flasim me subjektet politike për seriozitetin e situatës. Nëse vjen iniciativa ligjore në Kuvendin e Kosovës, normalisht që kemi nevojë edhe për përkrahjen e subjekteve të tjera politike”, deklaroi ai.
Ndërkaq, sa i përket çështjes së PDK-së në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, Hamza tha se ndryshimi i rrethanave mund të ndikojë edhe në prioritetet .
“Kur ndërrojnë rrethanat, duhet të ndërrojnë edhe qëndrimet tona. Mendoj që prioritet më të madh për këtë situatë nuk ka sesa ne si shtet të veprojmë në përputhje me interesat e shtetit”, tha Hamza.
Ai la të hapur mundësinë e kthimit të PDK-së në Kuvend nëse paraqitet nevoja për trajtimin e çështjeve që lidhen me Hagën.“Nëse ka nevojë, ne do të jemi në Kuvend”, tha Hamza.

